Wednesday, November 23, 2005

Gjykimi per vrasjen e Komandant DRINI't ri-filloj

SALI VESELI: JAM I SIGURT NË FITOREN TIME



Ka vazhduar rigjykimi për rastin “Drini”



“Që pesë vite po përballem me një proces që lidhje nuk kam me të, po diskriminohem, po fyhem...”, është ankuar gjeneral Sali Veseli në procesin e rigjykimit të tij për rastin “Drini”



Shkruajn : Burim Etemaj e Bajram Lani



Prishtinë, 7 nëntor 2005 - Gjeneralmajor Sali Veseli, përderisa merrej në pyetje nga trupi gjykues të hënën në Gjykatën e Qarkut në Prizren, ka përsëritur disa herë se nuk ka lidhje me vrasjen e komandant Ekrem Rexhës “Drini”.

“Në këtë rast gishti është drejtuar gabimisht. Mua më dhimbet prokurori i cili është shumë më i mirë sesa i pari, por të cilin e kanë detyruar që ta kryejë këtë punë dhe e kanë keqinformuar ndaj meje, por fitorja ime është e pashmangshme. Jam i sigurt në fitoren time. Është faktori kohë që do ta dëshmojë këtë”, është shprehur gjeneralmajor Sali Veseli. Fillimisht Veseli është marrë në pyetje nga anëtari i trupit gjykues Leonardo Asira, i cili e ka pyetur për miqësinë e tij me Drinin, të cilës pyetje Veseli i është përgjigjur duke thënë se miqësia me Drinin ka qenë deri në atë shkallë sa që asnjëherë nuk kanë shkuar në familjen e njëri-tjetrit. Veseli ka thënë se nuk ka mundur ta këtë edhe aq shok të ngushtë Drinin për shkak se, siç u shpreh ai, Drini kishte tjetër drejtim. “Kjo ishte arsyeja pse nuk jam shoqëruar me të. Drini nuk ka qenë shok i veçantë i imi, por lufta çlirimtare na kishte bashkuar”, ka theksuar Veseli. Pyetja tjetër e Asiras ishte në lidhje me informimin që Veseli i kishte bërë Komandantit të Përgjithshëm të TMK-së, gjenerallejtënant Agim Çekut. “A do të thotë se ti e ke marrë vesh më herët për vrasjen e Drinit?”, ka pyetur Asira, kurse përgjigjja e Veselit ishte se me marrjen e çdo informate oficeri me hierarki më të ultë lajmëron atë më të lartë. “Drini ishte bashkëluftëtar i të gjithëve dhe gëzonte një respekt të veçantë, andaj kur ndodhin tragjedi të tilla, si vrasja e tij, duhet ndërmarrë masa që të mos eskalojë gjendja. Dhe unë i kam marrë të gjitha masat që më obligonin”, ka thënë Veseli. Gjyqtari Asira, në vazhdim duke u referuar në dëshminë e Veselit të dhënë më 3 qershor 2002, e ka pyetur se pse gjatë kësaj dëshmie nuk e ka përmendur veten, se ka folur në akademinë përkujtimore në shtëpinë e kulturës ‘Xhemajli Berisha’ në Prizren, por vetëm gjeneral Çekun.

Veseli e ka sqaruar këtu trupin gjykues, se në akademinë përkujtimore ka folur ai, ndërsa në varrimin e Drinit, vetëm Çeku. Pyetje tjetër e gjyqtarit Asira për Veselin ishte nëse ai e dinte edhe më parë se ku ndodhet restorant Pojata. “Po, e kam ditur rreth viteve të 80-ta”, ka thënë Veseli. Gjyqtari Asira e ka pyetur Veselin edhe në lidhje me Hazir Isufin, të cilës pyetje ai iu përgjigj se gjatë seancave të gjykimit të parë herë është përdorur emri Hazir e herë Abit. “I kam thënë trupit gjykues se mos jeni gabim që herë përmendet emri Hazir e herë Abit...”, ka theksuar Veseli. “A mbani mend që keni thënë se nuk keni pasur kohë për t’i ndihmuar Kadri Shabanit për ta marrë lokalin (kafen) e tij?”, ka pyetur Asira, kurse Veseli është përgjigjur pozitivisht, duke sqaruar se nuk ka mundur ta ndihmojë Shabanin për arsye se “në atë kohë nuk funksiononin si duhet as politika, as gjyqësia e as kadastra, ndërsa më vonë shkova në Mitrovicë”. Pas gjyqtarit Asira, edhe gjyqtari tjetër Nurul Islam Khan, ka parashtruar disa pyetje për gjeneralmajor Sali Veselin. “Nga kush e more vesh për vrasjen e Drinit?”, ka pyetur Khan, ndërsa përgjigjja e Veselit ishte “nga një shok”. Khan pastaj është ndalur në një nga përgjigjet që ka dhënë më herët Veseli, i cili i pyetur nga hetuesia se pse nuk ka shkuar menjëherë pas rastit në spital për t’u interesuar për Drinin, kishte deklaruar se nuk është specialist. Veseli e ka mbrojtur këtë qëndrim edhe të hënën, duke shtuar se e vërteta është se pas 5 viteve po provokohet nga prokurori.

“Kur bëhet fjalë për rastin ‘Drini’, kur duan të më veshin diçka, unë jam i plotfuqishëm. Kur ka dëshirë të më ofendojë prokurori, më qesin në fund të pusit. Që pesë vite po përballem me një proces që lidhje nuk kam me të, po diskriminohem, po fyhem...”, është ankuar Veseli. Pyetja tjetër e gjyqtarit Khan drejtuar Veselit ishte se kur ka shkuar në shtëpinë e Drinit, pas vrasjes. “Nuk më kujtohet saktësisht, por atë ditë nuk kam shkuar”, është përgjigjur Veseli. “Pse nuk ke shkuar menjëherë?”, ka pyetur Khan, kurse Veseli është përgjigjur: “Sepse policia dhe KFOR-i kryenin detyrat e veta. Nuk kam dashur që t’i pengoj ata. Po ashtu as nënën, as babën e as ndonjë anëtar të familjes së Drinit nuk i kam njohur. Rajoni i Prizrenit ishte i panjohur për mua”. Veseli po ashtu ka thënë se nuk ka pasur asnjë mundësi për të bërë në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Drinit. “Edhe fëmijën tim po ta gjente diçka e keqe, nuk kam pasur çka të bëj. Tjetër është dëshira e tjetër është mundësia. Një gjeneral shpeshherë shkel dëshirat e veta dhe nuk është emocional, por realist, e realizmi në Kosovë shpeshherë është i hidhur”, ka theksuar Veseli.



Veseli merret në pyetje nga kryetarja e trupit gjykues Lolica C. Dumlao



Gjeneralmajor Sali Veseli është marrë në pyetje edhe nga kryetarja e trupit gjykues Lolica C. Dumlao, e cila fillimisht ka folur fjalë miradije për personalitetin e Veselit, por në anën tjetër ka shprehur habinë se pse ai nuk është interesuar sa duhet për hetimet në lidhje me vrasjen e Drinit. Por, Veseli pohoi se ka kontaktuar me të gjithë krerët e organeve më të larta ndërkombëtare në Kosovë. “Ekziston një letër që e kam shkruar unë dhe ua kam dërguar të gjitha instancave më të larta ndërkombëtare në Kosovë, se çka duhet bërë në lidhje me rastin ‘Drini’. Atë duhet lexuar edhe ju, pastaj shtroni pyetje”, ka thënë Veseli. Vrasjen e Drinit, ka shtuar Veseli, e ka kryer një dorë kriminale, dhe sipas tij, UNMIK-u i ka bllokuar hetimet për zbardhjen e këtij rasti. “Historia do ta zbulojë, por unë nuk kam lidhje me këtë rast. Unë jam shumë i interesuar që të zbardhet ky rast, por nuk po më jepet rasti”, ka thënë Veseli. Në pyetjen tjetër të Dumlao se pasi që ka qenë i treti me hierarki në TMK dhe i pari në Prizren, pse nuk e ka pyetur dikë dhe pse nuk është interesuar më shumë për vrasjen e Drinit, Veseli ka thënë se është interesuar dhe se ka pyetur njerëz, por ka shtuar se nuk ka pasur fuqi të bëjë diçka më shumë pasi që, siç u shpreh, nga politika, por edhe nga shërbimet e huaja ka qenë në burg. “Unë i kam pasur dy oficerë për ndërlidhje, njëri me autoritet ndërkombëtar në Kosovë dhe tjetri për çështje civile, (Fetah, mbiemri s’i kujtohet për momentin dhe Esat Krasniqi). Jam i sigurt që sot t’i pyetni ata do t’ju tregojnë për interesimin tim për vrasjen e Drinit. E drejta është në anën time”, është shprehur Veseli.



Avokatja Sadije Mjekiqi jep vërejtje në pyetjet e trupit gjykues drejtuar Veselit



Avokatja e gjeneralmajor Sali Veselit, Sadije Mjekiqi, ka kritikuar trupin gjykues në lidhje me pyetjet që ia kanë parashtruar klientit të saj. Ajo tha se Veseli është pyetur sikur të ishte ndonjë organ hetues. “Pyetjet që ia drejtuat klientit tim do t’i kuptoja sikur Drini të ishte aktiv në TMK. Klienti im ishte i inkuadruar në TMK e Drini punonte në komunë”, ka theksuar Mjekiqi. Trupi gjykues ka përmbyllur dëshminë e Veselit, për t’ia lënë radhën të akuzuarit të dytë Abit Haziraj. Trupi gjykues ka bërë të ditur se Veseli ka mundësi që në seancat e ardhshme të marrë pjesë dhe t’i parashtrojë pyetje dëshmitarëve.

Ndërkohë, avokati i të akuzuarit Abit Haziraj, Hasim Loshi, nuk e ka parë të nevojshme ta marrë në pyetje gjeneral Sali Veselin, duke thënë se Veseli është përgjigjur më herët në pyetjen që atij i ka interesuar. Loshi ka theksuar se Veseli ka thënë se as nuk e ka parë asnjëherë më parë Abit Hazirajn dhe se nuk ka pasur kontakte asnjëherë me të. Me këtë edhe ka përfunduar dëshmia e gjeneral Sali Veselit. Dëshminë e tij e ka vazhduar i akuzuari Abit Haziraj, i cili fillimisht ka dhënë biografinë e tij. Duke iu përgjigjur pyetjeve të kryetares së Trupit Gjykues, Lolica C. Dumlao, Haziraj ka thënë se ka qenë i dënuar një herë me një muaj burg për një rrahje, ndërkohë që ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë procedim penal. Para se të vazhdohej me dëshminë e Hazirajt, kryetarja e trupit gjykues ka kërkuar që fillimisht ta bëjë një përmbledhje të deklaratës së Sali Veselit, në të cilën ai thotë se është i pafajshëm dhe se i qëndron prapa deklaratës së tij. Dumlao ka thënë se Veseli ka pranuar se Remzi Shala ka punuar tek ai si shofer 4-5 muaj sa ishte në Mitrovicë. Gjithashtu ka pranuar se ka punuar edhe Bashkim Ndrecaj. Megjithatë, sipas saj, Veseli ka pranuar se gjatë gjithë kohës sa ata kanë punuar me të, ai kurrë nuk ka pasur konflikt me ta. “Ai ka pranuar se kurrë nuk është ndjerë i kërcënuar nga Drini gjatë gjithë jetës. Ai pretendon se është një procedurë e motivuar politikisht kundër tij. Ai pretendon se njerëz të caktuar po përpiqen që t’ia vënë fajin për vrasjen e Drinit, në mënyrë që vrasësit e vërtetë të jetojnë të lirë”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues. Më tej ajo ka komentuar deklaratën e gjen. Veselit, sipas të cilave ai ishte njëri ndër themeluesit e TMK-së. Në deklaratën e tij, Veseli ka dëshmuar për kontributin e tij dhënë në TMK dhe për lidhjet me komandantët e UÇK-së, sikurse edhe me komandant Drinin. “Drini ishte komandant i Pashtrikut deri në mars ’99, derisa u zëvendësua nga Tahir Sinani. Veseli ka dëshmuar se e ka rrezikuar jetën për Drinin, pasi e hoqën nga komanda”, ka thënë ajo. Kryetarja e trupit gjykues, gjithnjë duke u thirrur në deklaratën e Sali Veselit, tha se Veseli ka dëshmuar se Drini ka kaluar kufirin në dhjetor ’98 bashkë me një grup ushtarësh, 30 prej të cilëve janë vrarë, ndërkaq Drini është plagosur. Ndërkohë, duke përmbledhur deklaratat e Veselit, kryetarja e trupit gjykues, Dumlao, tha se Veseli ka dëshmuar se kur Drinin e hoqën nga komanda, ai nuk kishte trupa nën komandën e tij, sepse u caktua në një qendër shkollore. Dumlao tha se Veseli si komandant zone në TMK kishte 500 anëtarë, ndërkaq kishte një hierarki që respektohej. Ndërkohë, Dumlao ka thënë se Veseli në dëshminë e tij ka mohuar në çdo mënyrë së ia ka dhënë 15 mijë marka kujtdo në lidhje me vrasjen e komandant Drinit. “Veseli ka deklaruar se beson se Drini nuk ka bashkëpunuar as para as gjatë luftës me serbët dhe se nuk ishte simpatizues i tyre”, ka thënë ajo. Duke cituar pjesë të deklaratës së Veselit, Dumlao tha se në dëshminë e tij, Veseli ka mohuar një incident të supozuar në zyrën e tij. “Veseli e mohon incidentin e supozuar, ku supozohet se Halil Qadraku kishte hyrë në zyrën e tij me një gazetë duke thënë ‘shiko çka ka bërë ai qen’, ndërsa Veseli ka thënë ‘ti e di urdhrin dhe duhet ta bësh sa më shpejt’. Veseli thotë se Qadraku nuk ka qenë atë ditë në zyrën e tij. Ai e mohon çdo lloj lidhje me vrasjen e Drinit”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.



Haziraj: Për vrasjen e komandant Drinit kam dëgjuar në gazetë



Më pastaj, ajo i është drejtuar të akuzuarit Abit Haziraj se çfarë ka për të thënë ai në lidhje me vrasjen e Drinit.

“Për vrasjen e Drinit kam dëgjuar në gazetë. Edhe për emrin e gjeneral Sali Veselit kam dëgjuar pas arrestimit. Kurrë s’kam menduar se do të arrestohem për një gjë që nuk e kam bërë. Por edhe pse ndodhi, besoj se jam pranë drejtësisë dhe do të më mbroni për faktin se jam i pafajshëm, s’i njoh këta njerëz dhe nuk mund t’i ndihmoj gjykatës, sepse më kidnapuat në shtëpinë time, pa asnjë provë, në mënyrën më të keqe, duke më vënë thes në kokë dhe duke më rrejtur se më keni punësuar”, është shprehur Haziraj në fjalën e tij. Gjykatësja ka thënë se hetimet lidhur me arrestimin e tij janë bërë gjatë majit 2003, ndërkaq Haziraj ka thënë se këtë po e dëgjon për herë të parë. Meqenëse i akuzuari Haziraj nuk e kishte procesverbalin e asnjë prej seancave të mbajtura më herët, kryetarja e trupit gjykues ka kërkuar që t’i jepen në mënyrë që t’i shqyrtojë ato para se të merret në pyetje. Lidhur me këtë Haziraj ka shprehur habinë se si është e mundur që një gjë e tillë nuk është bërë më herët, derisa ky ka kërkuar edhe në ditët pararendëse që t’i mundësohet shqyrtimi i procesverbaleve. Ndërkaq avokati i tij, Hasim Loshi, ka thënë se materialet që ai i posedon nuk ia ka dhënë klientit pasi që klienti i tij vazhdimisht ka përsëritur se është arrestuar dhe akuzuar gabimisht. “Ma ka përsëritur vazhdimisht se është arrestuar dhe akuzuar gabimisht dhe se nuk është e nevojshme të thellohet më tej në këtë proces. Klienti im nuk ka lidhje me këtë proces. Nuk e njeh as viktimën, as të akuzuarit dhe as dëshmitarët si dhe nuk ka qenë asnjëherë pas luftës në Prizren”, ka thënë avokati Loshi.

Deklaratat për sigurinë në pafajësinë e Hazirajt, prokurori i ka quajtur si të pabesueshme. “Është e qartë se avokati i tij në atë kohë i kishte procesverbalet e mbajtura në mënyrë që të bënte ankesat. Këtu ose kemi një tufë avokatësh neglizhentë, ose ky i akuzuar nuk është i interesuar”, ka thënë prokurori duke sugjeruar që i akuzuari t’i shqyrtojë procesverbalet fillimisht që të vijë më i përgatitur në gjykatë. Mirëpo Haziraj ka thënë se është i përgatitur edhe tani që të përgjigjet në çfarëdo pyetje. Një sqarim rreth mosposedimit të procesverbaleve nga ana e të akuzuarve e ka dhënë avokatja e Sali Veselit, Sadije Mjekiqi, duke thënë se i akuzuari Haziraj nuk e ka parë të nevojshme të ngarkohet me letra e dokumente dhe që të shpenzojë për kontakte me avokatin, derisa vazhdimisht thotë se nuk ka lidhje me rastin. Njëjtë, sipas saj, ka vepruar edhe klienti i saj, Sali Veseli, i cili nuk ka dashur t’i shohë procesverbalet me arsyetimin se qëndron pas tërë asaj që e ka thënë dhe s’ka nevojë që t’i rikujtojë. “Nuk është çështje e neglizhencës së avokatëve, por e vetë të akuzuarve të cilët mbajnë për të veten tërë atë çfarë kanë deklaruar”, ka thënë Mjekiqi. Me gjithë insistimin e kryetares së trupit gjykues që të ndërpritet seanca në mënyrë që Haziraj ta lexojë procesverbalin e seancave të mëhershme, ky i fundit ka këmbëngulur se është i përgatitur që të përgjigjet që tani. Pas një konsultimi të shkurtër me avokatin e tij, Haziraj i është përgjigjur pyetjeve të shumta të kryetares së trupit gjykues, të cilat kryesisht ishin të përqendruara në të kaluarën e të akuzuarit Haziraj, në punën e tij për 20 vjet, gjatë periudhës ndërmjet viteve ’79-’96, në Zvicër, kthimin e tij në Kosovë, aktivitetin e tij pas luftës në lokalin e tij (diskotekë) në Skenderaj dhe për të ardhurat e tij. Haziraj ka thënë se në Zvicër ka punuar në ndërtimtari fillimisht, pastaj ka punuar edhe si truproje. Ndërkohë ka thënë se ka pasur fatin të luajë edhe në një film nga i cili ka fituar të ardhura prej 100 mijë markash gjermane. Ndërkaq, menjëherë pas luftës, 2 javë pas, në Skenderaj ka hapur diskotekën “Alkatraz”, të cilën e kishte pasur edhe para luftës me qira, nga e cila ka fituar deri në 300 marka brenda një nate. Ai po ashtu ka thënë se ka pasur edhe një lokal muzike në Pejë. Trupi gjykues më tej është interesuar të dijë për shtëpinë e Abit Hazirajt në të cilën ai banonte përkohësisht pas luftës, shtëpi kjo e cila ishte e një serbi me emrin Milan, mbiemrin e të cilit i akuzuari Haziraj nuk e ka kujtuar dot. Kryetarja e trupit gjykues e ka pyetur Hazirajn se çfarë të drejte kishte ai që t’ia shiste shtëpinë Kemajl Lushtakut, derisa ajo nuk ishte e tij? – “Nuk ia kam shitur unë shtëpinë, por kemi pasur një marrëveshje. Ai më ka dhënë 10 mijë marka dhe një makinë me të njëjtën vlerë prej 10 mijë markash, ndërkohë që e ka blerë pastaj shtëpinë prej serbit me një shumë shumë më të madhe. Kjo ka qenë një qerasje prej tij për mua”, ka thënë Haziraj. Gjykimi ndaj Sali Veselit dhe Abit Hazirajt për rastin e vrasjes së komandant Drinit do të vazhdojë edhe sot (e martë) nga ora 9 e 30 minuta.
epoka e re